Festa e Pashkës, politikanët urojnë besimtarët ortodoks

TIRANË, 8 Prill /ATSH- I. Vata/ – Kryeministri Edi Rama ka uruar sot besimtarët ortodoksë, Gëzuar Pashkën.

Nëpërmjet një postimi në statusin e tij social Facebook, kryeministri Rama ka zgjedhur një foto të kremtimit të pashkëve nga qyteti I Korçës për të uruar shqiptarët.

“Me këtë pamje spektakolare të mbrëmjes së djeshme në Korçë, Ju uroj GËZUAR PASHKËT”, shkruan Rama.

Urime për festën e Pashkës kanë ardhur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Kam kënaqësinë e madhe nga Katedralia “Ngjallja e Krishtit” t’ju uroj të gjithë besimtarëve ortodoksë në këtë ditë të shenjtë; për shumë vjet Gëzuar Pashkët. E ardhmja lind përmes sakrificës, e mira vjen përmes dhimbjes ndaj ju uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve të Zotit që kjo ditë të shënojë ringritjen drejt të mirës, bashkimin për fitoren, e së drejtës mbi të keqen, e dritës mbi errësirën. Për shumë vjet gëzuar!​”

Urimet nuk kanë munguar edhe nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili gjatë vizitës së tij në Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, uroj më shumë mbarësi, mirësi dhe më shumë dashuri midis shqiptarëve.

“Në këtë ditë mjaft të rëndësishme të këtij mesazhi të jashtëzakonshëm në emër të dashurisë për jetën, për njerëzit, të ngjalljes së Krishtit, të besimit se e mira gjithmonë do të triumfojë, u uroj të gjithëve mbarësi, u uroj të gjithë mirësi, u uroj më shumë dashuri midis shqiptarëve dhe jam besimplotë se duke e shpërndarë këtë mesazh, se nuk ka gjë më të rëndësishme në botë se sa dashuria, sa dashuria për jetën, sa dashuria për njerëzit, jam i sigurt se të gjithë do të marrim forcën e duhur për të përballuar sfidat dhe vështirësitë në një mënyrë edhe më optimiste, edhe më të bashkuar”, – u shpreh Presidenti Meta.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.