ITALI – L5Y-ja i zgjat dorën së majtës në mes të krizës politike

ROMË, 7 prill /ATSH-DPA/ – Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet (L5Y) foli sot për mundësinë e një marrëveshje për koalicion qeverisës me qendrën e majtë (PD), lëvizja e fundit në krizën politike italiane.

L5Y-ja dhe blloku konservator i drejtuar nga e djathta ekstreme, Liga fituan më shumë vota në zgjedhjet elektorale të 4 marsit, por asnjë nuk arriti një maxhorancë parlamentare për krijimin e një qeverie.

“Mendoj se mund të ketë shumë më shumë pika të përbashkëta se sa mendohet”, deklaroi lideri i L5Y-së, Luigi Di Maio për gazetën “La Repubblica” duke iu referuar Partisë Demokratike (PD), që deri tani ka qenë një prej kundërshtarëve kryesore të partisë së tij.

“Mendoj se tani një ndjenjë përgjegjësi drejt vendit duhet të na detyrojë të gjithëve, pa përjashtuar asnjë, që të ulim sëpatat”, shtoi ai.

Lideri i përkohshëm i PD-së, Maurizio Martina, që nga Di Maio u përshkrua si “një person me të cilit mund të flitet”, refuzoi hapur duke u shprehur se partia e tij do t’i qëndrojë besnike vendimit për të qëndruar në opozitë.

Megjithatë, ministri i Kulturës në ikje dhe ish-lideri i PD-së, Dario Franceschini u tregua më i hapur, duke shkruar në “Twitter” se “partia ka nevojë të reflektojë në lidhje me këtë lajm politik që përbën intervista e Di Maio-s”.

Nga ana tjetër, Matteo Salvini kishte deklaruar se do të qeverisë me L5Y-në vetëm nëse aleati i Ligës, “Forza Italia”, e drejtuar nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi do të jetë pjesë e marrëveshjes qeverisëse, një kusht ky i refuzuar nga Di Maio./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.