Veliu takime në Holandë, vlerësime për rezultatet në kuadër të “Forcës së Ligjit”

TIRANË, 6 Prill /ATSH/ – Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu po zhvillon një vizitë në Holandë, gjatë së cilës mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së drejtorit të Europol, nga Rob Weinright, të cilit i përfundoi mandati, ku tashmë në krye është zgjedhur Drejtoresha e Policisë së Belgjikës.

Pas ceremonisë, Veliu zhvilloi një takim me ish-kreun e EUROPOL Rob Weinright, të cilin e falënderoi për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Policisë shqiptare gjatë kohës që drejtoi organizatën.

Weinright uroi Veliun për detyrën e re, si dhe vlerësoi progresin e Policisë së Shtetit, sidomos për rezultatet e arritura muajt e fundit, por edhe për operacionet ndërkombëtare ku policia shqiptare është vlerësuar me çmime.

Gjatë vizitës në Hagë, Veliu takoi drejtorin e Trupës Kombëtare të Policisë së Mbretërisë së Holandës, Erik Akerboom. Ata vlerësuan bashkëpunimin mjaft të mirë mes dy policive si dhe diskutuan mbi mundësitë për ta forcuar dhe shtrirë më tej këtë bashkëpunim.

Drejtori i Policisë së Holandës çmoi rezultatet e arritura së fundmi në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”; masat për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit dhe migracionin e paligjshëm.

Gjatë qëndrimit në Hagë, Drejtori Veliu zhvilloi takime me strukturat mbështetëse dhe operacionale të EUROPOL-it, ku u bisedua për çështje konkrete të bashkëpunimit, operacione të përbashkë dhe ndihmën për rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.