KINË – Pekini: Do të merren masa ekonomike reciproke ndaj SHBA-së

PEKIN, 6 prill /ATSH/ – Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë, Gao Feng u shpreh të premten në Pekin se nëse SHBA-ja inponon tarifa shtesë prej 100 miliardë dollarësh mbi mallrat kineze, Kina do të forcojë pa hezitim kundërpërgjigjen e saj, njoftoi agjencia kineze zyrtare e lajmeve CRI.

“Në qoftë se SHBA-ja shton tarifat për mallrat kineze me vlerë 100 miliardë dollarë, Kina do të forcojë pa hezitim kundërpërgjigjen,” shtoi Gao.

“Nëse sistemi shumëpalësh dhe tregtia e lirë kërcënohen, do të shkatërrohet procesi i globalizimit ekonomik dhe do të dëmtohet rëndë procesi i ringjalljes së ekonomisë botërore. Kjo nuk është në favor të interesave thelbësore të Kinës dhe interesave të përbashkëta globale”, theksoi zëdhënësi Gao Feng duke shtuar se Kina është gati të marrë të gjitha masat për përballimin e shtimit të tarifave nga SHBA-ja.

Nga ana tjetër Gao, mohoi se Kina dhe SHBA-ja po zhvillojnë bisedime për mosmarrëveshjet tregtare. Ai tha se zyrtarët e financave të të dy palëve nuk kanë zhvilluar asnjë bisedim./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.