Xhafaj: Operacione domethënëse kundër krimit financiar

TIRANË, 5 Prill /ATSH/- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj vlerësoi sot operacionet domethënëse që po finalizohen kundër krimit financiar, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Përmes një postimi në Twitter, ministri Xhafaj iu referua një tjetër goditje të “Forcës së Ligjit”, ndaj një grupi të strukturuar kriminal që kontrabandonte mallra të ndryshme.

Xhafaj vlerësoi këtë operacion, që sipas tij, është meritë e strukturave kundër krimit ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Ministri premtoi mbështetje logjistike dhe asistencë për strukturat policore kundër krimit ekonomik në muajt në vijim, për një hop cilësor dhe hetime efikase dhe proaktive në këtë fushë.

Po ashtu, ministri vlerësoi Policinë e kryeqytetit, që megjithë ngarkesën e madhe ditët e fundit, me mbështetjen aktive edhe të Drejtorisë së Përgjithshme, kanë siguruar njëkohësisht rendin e qetësinë publike dhe vazhdojnë të dëshmojnë angazhim e rezultate të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. /m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.