Tragetet në Durrës, 118 mijë udhëtarë dhe 219 mijë tonë mallra

TIRANË, 5 Prill /ATSH/ – Gjatë tre muajve të parë të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim, kanë transportuar 15% më shumë mallra dhe 10% më pak udhëtarë, krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2017.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD (Autoriteti Portual Durrës) mësohet se gjatë periudhës 3-mujore të vitit 2018, tragetet janë shfrytëzuar nga afro 118 mijë udhëtarë dhe 23.549 autovetura gjithsej.

Në 3-mujorin që sapo u mbyll tragetet kanë transportuar gjithashtu afro 219 mijë tonë mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera.

Kjo është një sasi 15% më e lartë se sa e tre muajve të parë të vitit 2017, ndërsa importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 13% dhe 19%.

Tragetet gjithashtu kanë transportuar 17.073 kamionë dhe 1.417 trajlerë në tre muaj, përkatësisht 7% dhe 13% më shumë se sa në janar-mars 2017.

Tragetet kanë kryer gjithsej 224 lundrime vajtje-ardhje, ose 1 lundrim më shumë se në tre muajt e parë të vitit të kaluar. /e.malaj/  /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.