Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përfundon protesta e opozitës

TIRANË, 5 Prill /ATSH- I. Vata/ – Protesta e opozitës, e nisur sot rreth orës 10.00, për kundërshtim të vendosjes së taksës në “Rrugën e Kombit”, ka zgjatur për rreth dy orë duke përfunduar pa incidente.

Në protestën e thirrur nga opozita, u bashkuan edhe qytetarë të cilët bllokuan katër akse kryesore të qarkullimit që të sjellin në Tiranë.

Protestuesit bllokuan kryqëzimin në Milot, i cili lidh Tiranën me Shkodrën, por edhe “Rrugën e Kombit” me Tiranën, në autostradën Tiranë-Durrës, në Çermë të Lushnjes si dhe në Bradashesh të Elbasanit.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga deputetë të opozitës dhe qytetarë protestuan në Vorë duke bllokuar qarkullimin, ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në Bradashesh të Elbasanit.

Bllokimi prej orëve të paradites nga protestuesit, krijoi trafik dhe radhë të gjata automjetesh. Qarkullimi i bllokua në të dyja anët e autostradës Fier-Tiranë duke krijuar radhë të gjata automjetesh

E njëjta situatë u krijua edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ku radha e automjeteve ishte disa kilometra. Disa protestues në Elbasan dhe Milot kanë hedhur tymuese dhe dogjën goma në rrugë, ndërsa opozita deklaroi se protestat do të vijojë.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shpërndahen duke u kujtuar se bllokimi i rrugëve është i paligjshëm. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version