Konsumatorët mund të konvertojnë kredinë në monedhën që duan

TIRANE, 5 Prill /ATSH/-Konsumatorët mund të kërkojnë konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjenerojnë të ardhurat.

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, miratoi në mbledhjen e fundit të saj disa ndryshimeve në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”

Sipas njoftimit të BSH-së, këto ndryshime synojnë shtimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane të kësaj fushe.

“Ndryshimet e miratuara, krahas disa kërkesave për bankat, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat, si dhe shtimin e një shembulli ilustrues, që banka duhet t’ia vendosë në dispozicion konsumatorit si pjesë të informacionit parakontraktor, në rastet kur ai aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tij”, citon BSH-ja. e.xh/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.