GJERMANI – Barley: “Facebook”, një rrjet jotransparent

BERLIN, 5 prill /ATSH-AFP/ – Ministrja gjermane e Mbrojtjes së Konsumatorëve, Katarina Barley kritikoi ashpër rrjetin social, Facebook duke e cilësuar si një rrjet jotransparent, sipas saj dhe kërkoi masa në nivel europian pas skandalit për rrjedhjen e të dhënave.

“Bindjet etike janë sakrifikuar për interesat tregtare”, shkruan në Twitter, ministrja gjermane e Mbrojtjes së Konsumatorëve, Katarina Barley.

“Duhen rregulla të qarta për rrjetet sociale”, shtoi ajo.

“Ne duhet të kodifikojmë në nivel europian ligjin e kërkesave përballë rrjeteve sociale”, nënvizoi ministrja social-demokrate.

Skandali rreth publikimit të të dhënave personale të përdoruesve të “Facebook” është thelluar pasi rrjeti njoftoi për rreth 87 milionë anëtarë, nga 50 milionë të përmendur deri tani, të dhënat e të cilëve janë marrë pa dijeninë e tyre nga firma britanike e analizimit të të dhënave dhe komunikimit strategjik “Cambridge Analytica”.

“Në Gjermani, më shumë se 300 000 përdorues të rrjetit social janë prekur nga ky skandal”, sipas Facebook./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.