Basha: Protestat dhe mosbindja qytetare do të vijojnë javën e ardhshme

TIRANË, 5 Prill/ATSH-Maela Marini/- Partitë opozitare do të vijojë edhe javën e ardhshme të mbështesin protestat dhe aktet e mosbindjes qytetare, që sipas kreut të opozitës do të shtrihen në mbarë vendin.

Kështu deklaroi të enjten pas mbledhjes së partive opozitare, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke falënderuar të gjithë qytetarët që iu bashkuan protestës, që sipas tij, “me kurajo civile ndërmorën aktin e bllokimit të akseve rrugore”.

Basha e cilësoi këtë protestë një qëndresë dhe mosbindje qytetare kundër padrejtësisë dhe grabitjes.

“Edi Rama sot ka pranuar fajin, por për sa kohë që mban në burg 11 të pafajshëm, nuk është tërhequr, prandaj i bashkohemi kërkesës së qytetarëve të Kukësit, Hasit, Tropojës dhe mbarë Shqipërisë për lirimin urgjent të 11 protestuesve. Ata nuk janë fajtorë”, tha Basha.

Ai kërkoi që Kryeministri Rama të anulojë menjëherë dhe përgjithmonë taksën korruptive të Rrugës së Kombit.

“Për sa kohë që kjo nuk ndodh, opozita do të vazhdojë të qëndrojë në krah të protestës legjitime”, tha Basha.

Basha akuzoi po ashtu edhe Prokurorinë dhe Gjykatat, si të kapura nga politika./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.