Agjencia Telegrafike Shqiptare

Paketë sociale për banorët e Kukësit

TIRANE 4 Prill/ATSH/- Kontrata e nënshkruar mes qeverisë shqiptare si autoritet nënkontraktues si dhe kompanisë koncesionare për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit parashikon dhe e ka detyrim hartimin e një pakete sociale për lehtësimin e banorëve të zonave të Kukësit, Hasit e Tropojës që do të përdorin më shpesh këtë autostradë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë për të dhënë shpjegime për skemën që do të aplikohet sipas kontratës, për përdoruesit e shpeshtë të Rrugës së Kombit, banorët e zonës së Kukësit, Hasit e Tropojës, të cilët do të kenë trajtim të ndryshëm nga udhëtarët e tjerë.

Ministri Ahmetaj bëri të ditur se qeveria prej më shumë se një muaji po negocion me kompaninë koncesionare për hartimin e kësaj pakete sociale.

Paketa tha ai, synon minimizimin e ndikimit social e ekonomik që rrjedh nga futja e tarifës së rrugës.

Sipas Ahmetajt, do të jetë kryeministri Rama që do të bëjë publike paketën lehtësuese për banorët e këtyre zonave.
/a.gjonaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version