TIRANE, 3 Prill/ATSH/- Pensionistët e vetëm dhe të gjithë ata persona që trajtohen me ndihmë ekonomike do të paguajnë zero taksë për banesën, ndërsa kryeministri i vendit, por edhe të gjithë politikanët, përfshirë kreun e PD-së, e atë të LSI-së do të paguajnë më tepër taksë për banesën.
Kjo është filozofia e skemës së re të përllogaritjes së taksës së banesës që nisi të zbatohet nga data 1 prill për të gjithë qytetarët, duke përjashtuar pensionistët dhe ata që marrin ndihmë ekonomike. Ndërsa familjet që banojnë në shtëpi të para vitit 1993 do të paguajnë 30% më pak taksë banese.
Metoda e vjetër e llogaritjes së taksës së banesës parashikonte tarifë fikse për të gjithë qytetarët, pavarësisht statusit social.
Pra paguante njëlloj, si një pensionist që banon në një banesë të vogël dhe që mund të ishte e ndërtuar para vitit 1993, ashtu edhe një politikan apo biznes që banon në një vilë apo apartament me sipërfaqe të madhe.
Metoda e re e llogaritjes së taksës sipas kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, është drejtësi për shqiptarët e ndershëm.
Metoda e re parashikon pagesën e një takse sa 0.05% e vlerës së banesës për familjarët dhe 0.20% e vlerës për ato ndërtesa që përdoren për biznes./a.gjonaj /a.g/
