Përfundon rruga te Ballkoni i Divjakës, zhvillim ekonomik dhe lehtësi për banorët

TIRANË, 3 prill /ATSH/ – Ballkoni i Divjakës do të ketë një rrugë të re me të gjitha parametrat optimalë, duke lidhur me anë të unazave Gradishtën, Grabianin dhe Çermën me Divjakën, rrugë e cila do t’i japë zonës zhvillim të konsiderueshëm ekonomik, pasi lehtëson daljen në autostradë.

Nga ndërtimi i kësaj rruge, që më parë nuk ka ekzistuar as si koncept, do të përfitojnë më shumë se 50 mijë banorë të zonës, të cilët do të kenë më shumë akses dhe komoditet në bërjen dhe zhvillimin e tregtisë në atë zonë.

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se qëllimi i vërtetë i ndërtimit të kësaj rruge veç lidhjes së fshatrave, është dhe zhvillimi i bujqësisë, pasi Tërbufi (Çerma) ka fushën më të madhe me plot 9 mijë hektarë.

“Përtej popullsisë, rolin me të madh e ka në tokat bujqësore, pasi Tërbufi është fusha më e madhe që ka 9 mijë hektarë tokë. Janë 15 mijë banorë të Tërbufit që lidhen me Grabianin, i cili ka 10 mijë banorë, pastaj vijmë në Gradishtë ku janë 12 mijë banorë plus që lidh dhe qytetin e Divjakës me 15 mijë banorë. Është një rrugë që lidhë të gjithë bashkinë por rolin kryesor e ka në zhvillimin e rolit bujqësor, i cili është edhe qëllimi për të cilin është krijuar kjo rrugë.”

Ndërtimi i kësaj rruge prej 15 kilometrash ka kushtuar rreth 317 mln lekë.

Ndërsa kjo si zonë nuk ka patur një rrugë ekzistuese për qarkullimin e mallrave bujqësore si dhe për lëvizjen e banorëve të zonës.

“Për 15 km rrugë, financimi ka qenë rreth 317 mln lekë të reja. Nuk ka patur rrugë dhe nuk ka patur projekte të mëparshme, kjo rrugë është ideuar nga bashkia e Divjakës parvjet”.

Sipas kreut të bashkisë krijimi i rrugës i ka dhënë një tjetër perspektivë zonës, pasi sipas tij është krijuar një panoramë shumë e bukur, duke e krahasuar atë me një Holandë të vogël, pasi çdo gjë është e pastër dhe e rregulluar si nga ana e pastrimit të kanaleve dhe nga bukuria që të ofron zona.

Lajmin e përfundimit të kësaj rruge e bëri të ditur sot, deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Erion Braçe, i cili postoi disa foto nga punimet e ndërtimit të rrugëve në rrjetin social Twitter, që po ndërtohet me financat e buxhetit të shtetit.

“Ballkoni i Divjakës, po bëhet me rrugë të re me parametra optimalë.
Unazat që lidhin fushën me kodrën dhe Mertishin me Grabianin, Çermën e të gjitha bashkë me Divjakën, po mbarojnë.
Lushnja, por edhe Berati, më tutje Elbasani nga Lushnja, janë në Divjakë 
për 13 minuta!”

“Për turizëm, për të blerë e shitur, veçanërisht për të kapur eksportet!

Kështu, ky vend u nda qartë në ata që vjedhin, vrasin, djegin e shkatërrojnë dhe,
atyre që punojnë!

SEPSE PUNA VLEN!”

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.