TIRANË, 3 Prill/ATSH-Maela Marini/ – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dënoi sot protestën e dhunshme në “Rrugën e Kombit”, ndërsa e cilësoi atë “një dhunë të motivuar politikisht”.
Sipas Gjiknurit, “kjo kontratë u përdor si sebep politik për të arritur objektiva të tjerë”.
“Së pari, shpreh keqardhjen e thellë në lidhje me dhunën barbare që ndodhi disa ditë më parë në një objekt publik, sepse pavarësisht se menaxhohet nga një koncesionar privat rruga është publike dhe gjtihë aseti i përket shtetit shqiptar”, tha Gjiknuri.
Fatkeqësisht, sipas tij, “kjo dhunë barbare u nxit nga zjarrëvënësit e Tiranës, sepse aty nuk ishte i gjithë populli i Kukësit, por ishte një grup i vogël njerëzish i motivuar politikisht”.
Njerëzit e ndaluar nga policia, sipas Gjiknurit, janë njerëz me precedentë penalë që s’kanë lidhje me protestën për tarifën e shërbimit të një rruge, por thjesht janë të nxitur dhe motivuar politikisht.