Dëmi, miliona euro që do të paguhet nga taksapaguesit

TIRANË, 3 Prill/ATSH-Maela Marini/ – Dëmi i shkaktuar nga protesta në “Rrugën e Kombit” shkon në disa milionë euro, një dëm që do të paguhet nga gjithë taksapaguesit shqiptarë.

Gjatë një konference për shtyp të martën, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se po bëhet një vlerësim paraprak i dëmeve të shkaktuara.

“Nga ana e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe strukturave përkatëse, së bashku me personelin e kompanisë private që ka investuar në këtë koncesion po bëjmë një vlerësim paraprak të dëmeve të shkaktuara në stacionin e marrjes së tarifës, ku shumë shpejt do të kemi edhe shifrën totale të dëmit”, tha Gjiknuri.

Por me një vlerësim paraprak, ai theksoi se “dëmi shkon në disa miliona euro”.

Ky investim, sipas tij, nuk duhet ngatërruar thjesht si një investim privat.

“Megjithëse në Republikën e Shqipërisë ka të njëjtën mbrojtje ligjore si prona private ashtu edhe ajo publike, këtu kemi të bëjmë me mbrojtje të pronës private dhe pronës publike. Por në këtë rast i gjithë ai investim i takon publikut shqiptar, shtetit, paguhet nga përdoruesit e asaj rruge dhe kapitalizohet për llogari të shtetit, kur mbaron jeta e kontratës koncesionare”, tha Gjiknuri.

Fatkeqësisht, sipas tij, gjithë dëmi i shkaktuar nuk iu bë një privati, por iu bë gjithë taksapaguesve shqiptarë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.