Të lirohen qytetarët dhe të hiqet tarifa e Rrugës së Kombit

TIRANË, 1 Prill /ATSH- I. Vata/ – Kërkojmë lirimin e qytetarëve të arrestuar në Kukës dhe heqjet e tarifa së rrugës së Kombit”, ka pohuar sot kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha i ka konsideruar arrestimet e protestuesve në Kukës si të jashtëligjshme dhe ka kërkuar që të lirohen.

“Dënoj ashpërsisht arrestimet në mes të natës të qytetarëve dhe dërgimin e tyre në Tiranë, të gjitha të kryera në shkelje të të drejtave të tyre themelore. Veprimet e prokurorisë dhe të policisë janë të urdhëruara politikisht. Arrestimet nuk janë bërë për drejtësi, por për t’u hakmarrë, për të frikësuar dhe shantazhuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës”, shprehet Basha.

Sipas Bashës, vjedhja dhe shpërdorimi i fondit 200 milionë euro është arsyeja  e vendosjes se tarifën nga 5 në 32 Euro në Rrugën e Kombit. “Do të mjaftonte një e dhjeta e këtij fondi për këtë mirëmbajtje” tha ai.

Më tej, Basha thekson se  “Tarifa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet. Protestuesit e arrestuar në mes të natës duhet të lirohen”.

“Partia Demokratike mbështet qytetarët dhe të drejtat e tyre dhe do jetë me ta në çdo moment”, ka pohuar Basha./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.