SPORT- Ibrahimoviç debuton me dy gola në MLS duke fituar derbin

TIRANË, 1 prill/ATSH/- Nuk ka rëndësi ekipi apo kampionati që luan sepse Zlatan Ibrahimoviç, gjithnjë do të shënojë.

“Gjiganti” suedez i transferuar së fundmi nga ekipi i Manchester United drejtë kampionatit Amerikan(MLS), ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme me LA Galaxy, duke

vendosur fatin e derbit të Los Angelesit në favor të skuadrës së tij dhe meritoi ovacionet e kundërshtarëve.

LA Galaxy mori një fitore të jashtëzakonshme, edhe për meritë të përforcimit më të ri, që tregoi sidomos me njërin prej golave se nuk ka zbarkuar në SHBA vetëm për milionat.

Zlatan Ibrahimoviç u fut në fushë në minutën e 71-të, në vendin e Lletget, ndërsa pak çaste më vonë Pontius firmosi golin që çoi ndeshjen në 2-3.

Ish-sulmuesi i Manchester United e shënjoi debutimin me një të djathtë fluturuese nga 35 metra, që barazoi rezultatin.

Pikërisht kur mendohej se barazimi do të ishte edhe rezultati përfundimtar i derbit në qytetin e “engjëjve”, Ibrahimoviç shënoi me kokë brenda zonës, një gol që kompletoi përmbysjen nga 0-3 në 4-3./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.