SARAJEVË – Yıldırım: Siguria e Ballkanit nënkupton siguri në Europë

ANKARA, 30 mars /ATSH-AA/ – Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit nënkuptojnë siguri në Europë, theksoi kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım gjatë një vizite në Sarajevë duke shtuar se të gjitha shtetet e rajonit kanë përgjegjësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, njoftoi Anadolu Agency (AA).

“Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit nënkuptojnë në të vërtetë siguri në Europë, siguri në Lindjen e Mesme. Në këtë aspekt, ne e dimë se të gjitha shtetet e rajonit kanë përgjegjësi të madhe për mosprishjen e paqes dhe stabilitetit në këtë vend”, theksoi Yıldırım në një konferencë për media pas takimit me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës në kryeqytetin Sarajevë.

“Në këtë drejtim, ne jemi në përpjekje të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me të gjitha shtetet, duke filluar nga Bosnje Hercegovina”, shtoi kryeministri turk.

“Lufta e Turqisë kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme, Siri dhe Irak jo vetëm që siguron qytetarët tanë, por edhe parandalon një fluks të refugjatëve në Ballkan, Europë dhe aktivitetet terroriste”, nënvizoi Yıldırım.

Kryeministri turk theksoi se kishte marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe se tregtia dhe bashkëpunimi reciprok me këto vende ishte në rritje të vazhdueshme.

Ai falënderoi qeverinë e Bosnje Hercegovinës për përpjekjet e ofruara për t’i dhënë fund aktiviteteve të organizatës terroriste FETO në këtë vend, megjithatë shtoi se ende vazhdojnë disa aktivitete të kësaj organizate nën emra të ndryshme.

“Lidhur me këtë ne dëshirojmë që mbështetja juaj të vazhdojë edhe më tej”, theksoi Yıldırım.

Duke folur për rritjen ekonomike të Turqisë në vitin 2017 prej 7,4%, ai u shpreh se kjo gjë nuk ka qenë ndonjë befasi për Turqinë.

“Nuk ishte befasi për ne. Ne tanimë kemi projekte për rritje të qëndrueshme në vitin 2018”, nënvizoi ai./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.