Forcim i rolit të gruas në shoqëri dhe vendimmarrje

TIRANË, 27 Mars/ATSH/ – Forcimi i rolit të gruas në shoqëri dhe vendimmarrje, si dhe rritja e kuotave të përfaqësimit të grave në parlament do të jetë në fokus të punës të Aleancës së Grave Deputete.

Nën drejtimin e Zëvendëskryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi u mblodh sot Aleanca e Grave Deputete për të zgjedhur strukturat drejtuese.

Përpara zgjedhjes së strukturave drejtuese, Hysi përshëndeti deputetët duke shprehur gatishmërinë e saj për mbështetjen e nismave ligjore që do të propozojë Aleanca e Grave Deputete.

“Uroj dhe shpresoj që takimet tani do të jenë më të shpeshta. Nga ne do të keni të gjithë mbështetjen. Në cilësinë e zëvendëskryetares së Kuvendit ju njoftoj se do të bëjmë ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, që Aleanca të ketë mbështetjen e saktë me fonde, me aktivitetet”, tha Hysi.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi u shpreh gjatë mbledhjes se, AGD përgjatë legjislaturës së kaluar shënoi disa arritje, ndër të cilat ishte edhe vendosja e kuotave 50% për listat e kandidatëve për anëtarë në Këshillat Bashkiakë, duke shtuar se tanimë aleanca duhet të vijojë punën për ta bërë këtë kuotë edhe në listat e kandidatëve për deputetë.

Deputetja e LSI-së, Silva Caka u shpreh se aleanca duhet të vijojë punën në forcimin e rolit të gruas në shoqëri, përfaqësimin politik të saj si edhe forcimin ekonomik të gruas. Krahas kësaj, Caka tha se “shpreson që të jetë kjo legjislaturë dhe kjo aleancë të jetë ajo që do të rrisë përfaqësimin politik të grave në nivelet më të larta, siç është ekzekutivi dhe legjislativi”.

Nga PDIU mbajti një fjalë deputetja Reme Lala, e cila përshëndeti mbledhjen e radhës të AGD, duke shtuar se PDIU si parti parlamentare do të mbështesë të gjitha nismat që nxisin rritjen dhe fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave.

Më pas, anëtaret e Aleancës së Grave Deputete vijuan procesin e zgjedhjes së strukturës drejtuese ku kryetare u zgjodh Dhurata Çupi, zëvendëskryetare Elona Gjebrea dhe Sekretare, Silva Caka.

Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Dhurata Çupi, në fjalën e saj pas zgjedhjes si kryetare falënderoi deputetet për mbështetjen e dhënë, duke shtuar se ky forum do të qëndrojë larg ndikimeve politike.

Zëvendëskryetarja Elona Gjebrea u shpreh se kjo do të jetë një aleancë aktive. “Ju falënderoj për mbështetjen dhe jam e bindur që do të jetë një aleancë aktive në mbështetje të grave, në mbështetje të grupeve që kanë nevojë, në bashkëpunim me partnerët dhe shoqërinë civile në përmbushje të gjithë rezolutave dhe detyrimeve që ne kemi”, tha Gjebrea./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.