MEPJ shpall ‘non grata’ dy diplomatë rusë

TIRANE, 26 Mars/ATSH/-Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpallur sot ‘non grata’ dy diplomatë rusë.

MEPJ njofton se veprimtaria e dy diplomatëve rusë në Shqipëri nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik.

Sipas njoftimit për shtyp nga ministria, nota verbale i është komunikuar ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, Aleksander Karpushin.

“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksander Karpushin, të cilit iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, thuhet në deklaratën zyrtare të MEPJ-së.

Katërmbëdhjetë vende të Bashkimit Europian vendosën sot të dëbojnë diplomatët rusë pas helmimit në Britaninë e Madhe të ish-spiunit rus, Serguei Skripal, njoftoi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.