BRUKSEL – Tusk: BE vendos dëbimin e diplomatëve rusë në kuadër të çështjes Skripal

BRUKSEL, 26 mars /ATSH-AFP/ – Katërmbëdhjetë vende të Bashkimit Europian vendosën sot dëbimin e diplomatëve rusë pas helmimit në Britaninë e Madhe të ish-spiunit rus, Serguei Skripal, njoftoi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

“Në mënyrë të organizuar, 14 vende të Bashkimit Europian kanë vendosur të dëbojnë diplomatët rusë”, deklaroi Tusk, nga Varna, në Bullgari, ku duhet të marrë pjesë në një takim të drejtuesve të BE-së me presidentin turk, Recip Tayyip Erdogan.

“Masa të tjera duke përfshirë dhe dëbime nuk përjashtohen në ditët dhe javët e ardhshme”, shtoi Tusk.

I përket çdo vendi të njoftojë dëbimet e diplomatëve rusë nga territori i tyre”, theksoi një zyrtar europian.

“Masa do të përfshijë më shumë se 30 diplomatë, që i shtohen 23 diplomatëve rusë të dëbuar nga Britania e Madhe, ndërkohë që vende të tjera do ta ndjekin”, nënvizoi ai.

Masa u vendos nga presidentët dhe kryeministrat e BE-së të mbledhur në samitin e fundit në Bruksel, pas miratimit të një deklarate që inkriminonte Rusinë në helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës së tij Yulia më 4 mars në Salisbury.

Njoftimet e para, të bëra sot, kanë ardhur nga Gjermani (katër të dëbuar), Franca (katër), Polonia (katër), Republika Çeke dhe Lituania (tre), nga Italia, Danimarka, Holanda (dy), Estonia, Letonia dhe Finlanda (një).

Tre vendet e tjera janë Rumania, Suedia dhe Kroacia, sipas burimeve diplomatike.

SHBA-ja ka dëbuar 60 spiunë rusë ndërkohë që Ukraina dhe Kanadaja kanë kryer repsektivisht 13 dëbime./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.