TIRANË, 26 Mars/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, priti në një takim, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, ku u vlerësua marrëdhënia e mirë mes Policisë së Shtetit dhe misionit të OSBE.
Veliu dhe Borchardt, vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe OSBE-së, si dhe u theksua nevoja e bashkëpunimit akoma më shumë, pasi ndihma e dhënë nga OSBE-ja, jo vetëm në trajnimin e punonjësve të Policisë për proceset zgjedhore, por edhe për menaxhimin e integruar të kufijve, apo në fusha të tjera, ka sjellë rritje të profesionalizmit në burimet njerëzore të Policisë së Shtetit.
Drejtori Veliu ka njohur Ambasadorin me tre prioritetet e reja të Policisë së Shtetit, Forcën e Ligjit, Parandalimin e kultivimit të kanabisit dhe Policimin në Komunitet, si dhe ka bërë një ekspoze të mjaft rezultateve pozitive të arritura në dy muajt e fundit.
Borchardt ka siguruar Drejtorin e Përgjithshëm, se misioni i OSBE-së mbetet i vendosur të mbështesë Shqipërinë në menaxhimin e integruar të kufirit, jo vetëm në nivel teknik, por edhe në nivel politik.
Gjatë këtij takimi u diskutuan dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, policimit në komunitet dhe në fusha të tjera./m.z//e.caushi/
