Ankesat e bizneseve, u jepet zgjidhje 31 kërkesave nga 45 të trajtuara

TIRANE, 24 Mars/ATSH/- Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes po i përgjigjet në kohë rekord shqetësimeve dhe problemeve me të cilat përballet biznesi.

Vetëm në muajin shkurt, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato deklaron se janë trajtuar gjithsej 45 kërkesave, prej të cilave kanë marrë zgjidhje 31 prej tyre pas këshillimeve dhe gjetjes së hapësirave ligjore për të trajtuar çështjet.

Në raportin e publikuar mbi ankesat e sipërmarrjes si dhe zgjidhjen e marrë prej tyre për këtë muaj, bëhet e ditur se janë dërguar edhe paketa propozuese të cilat do të reflektohen në paketën e dytë me propozime të Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen dhe Sipërmarrjen në datën 27 Mars.

Pjesa më e madhe e kërkesave apo ankesave referuar raportit janë adresuar drejt Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Çdo propozim që na mbërrin nga grupet e ndryshme të interesit, sipërmarrësit, apo shoqatat, koordinohet me ministritë përkatëse të parashikuara për zgjidhjen specifike të secilës çështje, ndaj një pjesë e këtyre propozimeve janë në proces përpunimi dhe do të raportohen në vijim”, sqaron ministrja. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.