Nisje e mbarë e procesit të Vetting-ut, Rama: S’kemi parë gjë akoma

TIRANË, 23 Mars/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot nisjen e mbarë të procesit të Vetting-ut, me shkarkimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort Vetingun, sot duhet të ndjehen mirë sepse nisja është e mbarë. Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën Vetingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetin social “Facebook”.

Kryeministri iu përgjigj po ashtu edhe një komentuesi, i cili pyet për 17 gjykatësit dhe prokurorët, që u larguan dhe nuk pranuan t’i nënshtrohen Vetting-ut.

“Shteti nuk bëhet si komentet në FB, sa hap e mbyll sytë! Duhet kohë dhe durim, tanimë rruga është hapur, por ndërtimi i saj kërkon mund të madh e punë aq të madhe sa ty s’ta rrok mendja! Por ktheje pak kokën mbrapa, vetëm tre vjet më parë kur nisi Reforma në Drejtësi s’kishte më shqiptar që ta besonte se sistemi i kalbur i drejtësisë mund të shembej dhe të paprekshmit brenda tij mund të shporreshin nga Pallati i Drejtësisë! Hap pas hapi miku im, hap pas hapi”, shkruan Rama.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i cili nuk justifikon burimin e pasurive të tij.

Kjo ishte seanca e parë që zhvillohet në kuadër të Vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.