Kongresmenët amerikanë, mbështetje reformave impresionuese në drejtësi

TIRANË, 22 Mars/ATSH/- Kongresmenët amerikanë vlerësuan dhe shprehën mbështetjen e fortë për reformat impresionuese të qeverisë shqiptare në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

Këtë e konfirmoi të enjten ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashington.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Xhafaj pati një axhendë të ngjeshur takimesh në Departamentin e Shtetit, Kongres, FBI e DEA etj.

Në Kongres, fillimisht Xhafaj zhvilloi një takim shumë konstruktiv me kongresmenin Robert B. Anderholt dhe më pas takim me një tjetër mik të Shqipërisë, kongresmenin Steve King.

Ndërsa ditën e djeshme, Xhafaj zhvilloi një darkë pune me disa personalitete të njohur për përvojën e tyre si ligjvënës, në fushën e sigurisë dhe diplomacisë, miq e mbështetës në vite të Shqipërisë.

“Një diskutim shumë interesant për sfidat aktuale në fushën e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër terrorizmit”, shkruan Xhafaj në rrjetin social Twitter.

Në këtë vizitë në SHBA, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe një ekip nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit./m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.