GREQI – Pavlopulos: Rishikim i Kushtetutës dhe eleminimi i irredentizmit kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

ATHINË, 22 mars /ATSH-MIA/ – Zgjidhja e emrit duke dhënë garanci të nevojshme për çrrënjosje të irredentizmit dhe rishikimi i Kushtetutës janë parakushtet që duhet të plotësohen që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s, deklaroi presidenti grek Prokopis Pavlopulos.

“Ne e mbështesim integrimin e IRJM-së (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) në NATO dhe në BE. Por duke respektuar historinë, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet europiane është e nevojshme një zgjidhje paraprake e çështjes së emrit, që do të sjellë garancitë e nevojshme për çrrënjosje të irredentizmit. Në këtë mënyrë mund të përparohet me integrimin e IRJM-së në NATO dhe BE”, theksoi presidenti grek.

“Fillimisht, rishikim paraprak i Kushtetutës së saj, që do të shënojë edhe respektin që e tregojnë Greqia, Bashkimi Evropian dhe NATO drejt sistemit të saj juridik dhe shtetit të së drejtës. e dyta, marrëveshja do t’i përfshijë të gjitha garancitë për eliminimin e irredentizmit që e përmenda”, thotë Pavlopulos./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.