Ambasada e SHBA-së: Votimi i demarkacionit konfirmon vendin e Kosovës në Europë

PRISHTINË, 22 Mars/ATSH/.- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroi sot popullin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke e cilësuar një arritje të rëndësishme që konfirmon vendin e Kosovës në Europë.

“Çdo deputet i Kuvendit që votoi për të ratifikuar këtë marrëveshje, mund të jetë krenarë, pasi e di që bëri veprimin e duhur dhe të guximshëm për të mirën e shtetit tuaj. Tani Kuvendi dhe qeveria e Kosovës duhet të kthejnë vëmendjen e tyre te çështjet tjera nga axhenda e prioriteteve që do ta shtyjnë Kosovën përpara drejt sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe aspiratave të saj euro-atlantike. Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për arritjen e integrimit të plotë në familjen europiane të kombeve”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës ratifikoi në seancën e së mërkurës, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.