Tiranë, 21 Mars/ATSH/- Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Asistencën Teknike të ofruar nga ana e Bashkimit Europian, prezantuan Udhëzimin e ri të Procedurave Standarde për përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm, në prani të ministrive të linjës, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Në fjalën e hapjes së këtij eventi, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi, theksoi se ndryshimet në përgatitjen e buxhetit janë pjesë e reformimit të Menaxhimit të Financave Publike në Shqipëri dhe se ato do të kontribuojnë në një lidhje më të fortë midis strategjive të sektorit dhe reflektimit të tyre në buxhet.
Në fjalën e saj, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Geraldina Prodani, u shpreh se Delegacioni i Bashkimit Europian jo vetëm ka dhënë ndihmën e vyer për këtë Udhëzim por për mbështetjen që do të japin për avancimin e objektivave ambiciozë të përcaktuara në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike. Prodani theksoi se dallimi i qartë ndërmjet politikave të vazhdueshme dhe atyre të reja që prezantohet për herë të parë me anë të këtij udhëzimi, rrit transparencën dhe futja e treguesve kryesorë të performancës do të lejojë të gjithë aktorët që të monitorojnë progresin kundrejt objektivave të sektorit.
Udhëzimi i ri mishëron një ndryshim konceptual dhe metodologjik të të bërit buxhet, duke u fokusuar tashmë në një qasje të qartë buxhetimi mbi bazë programi dhe performance, ku një risi e dukshme është evidentimi dhe menaxhimi përgjatë gjithë ciklit të buxhetit i Treguesve Kyç të Performancës. Udhëzimi i mëparshëm kishte një natyrë më teknike dhe më të fragmentuar, ndërkohë që Udhëzimi i ri është i konturuar në mënyrë të tillë që të prodhojë një PBA të karakterit strategjik ku janë reflektuar qartësisht prioritetet e Qeverisë dhe dokumentet strategjikë, duke evidentuar në mënyrë eksplicite hapësirën fiskale të disponueshme për financimin e Politikave të Reja.
Në këtë udhëzim përcaktohen dy faza të ndara qartë të përgatitjes së PBA, ku në Fazën e 1 do të merren vendimet më të rëndësishme lidhur me alokimet buxhetore, vendime të cilat do të përkthehen më pas në Tavane Buxhetore solide. Faza e 2 do të merret më shumë me detaje teknike që kanë të bëjnë me kostot e programeve buxhetore dhe me përgatitjen e Ligjit Vjetor të Buxhetit.
Ndarja e kërkesave buxhetore nga ana e Njësive të Qeverisjes Qendrore në dy pjesë: Kostot buxhetore të Politikave Ekzistuese dhe Kostot Buxhetore të Politikave të Reja, është një tjetër risi e rëndësishme e këtij udhëzimi. Kjo metodë buxhetimi ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e FMN, Bankës Botërore dhe SIGMA pasi nga njëra anë do të synojë që të ruajë nivelin e duhur për financimin e politikave ekzistuese dhe do të minimizonte ose eliminonte mundësinë për krijimin e detyrimeve të prapambetura, dhe nga ana tjetër do të lehtësonte së tepërmi procesin e përllogaritjes së hapësirës fiskale për ndërmarrjen e Politikave të Reja. Në këtë frymë, edhe buxhetimi i Investimeve Publike do të ndjekë të njëjtat parime dhe metodologji duke i ndarë ato në projekte në vazhdim ose ekzistuese dhe ato të reja.
Një hapësirë të rëndësishme i kushtohet dhe Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor, i cili tashmë është bërë pjesë integrale e Programit Buxhetor Afatmesëm dhe e ciklit të Menaxhimit të Shpenzimeve Publike. Nëpërmjet këtij udhëzimi, synohet që të gjitha programet buxhetore të integrojnë në kërkesat e tyre buxhetore elementë të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor, qoftë në mënyrë të plotë apo të pjesshme. UNWOMEN në Shqipëri ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Qeverinë Shqiptare në avancimin e axhendës së Barazisë Gjinore në vend, duke i kushtuar sidomos resurse financiare dhe njerëzore të rëndësishme integrimit të filozofisë së Buxhetimit Gjinor në fazat e rëndësishme të ciklit të Menaxhimit të Shpenzimeve Publike.
Vlen për tu theksuar rëndësia që ky Udhëzim i jep pjesëmarrjes së Shoqërisë Civile në procesin e përgatitjes së buxhetit, kjo pasi, Qeveria Shqiptare e shikon si kyçe pjesëmarrjen aktive të Shoqërisë Civile në përgatitjen e buxhetit dhe në monitorimin e tij, pasi ky ndërveprim rrit ndjeshëm jo vetëm transparencën e buxhetit por edhe cilësinë e procesit dhe përmbajtjes nëpërmjet rritjes së nivelit të llogaridhënies së aktorëve kryesorë të involvuar në gjithë ciklin buxhetor.
Në përfundim, Prodani, siguroi edhe një herë të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore, qofshin këto Ministri linje apo institucione të tjera buxhetore, se do të kenë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Asistencës Teknike të ofruar nga BE por jo vetëm, në përmbushjen e të gjitha kërkesave të reja që kërkohen nga ky Udhëzim, në mënyrë që të avancohet më shpejt drejt standardeve bashkëkohore të menaxhimit të shpenzimeve publike./e.caushi/
