Ahmetaj: Në raportin e FMN-së janë të qarta arritjet dhe sfidat e ekonomisë së Shqipërisë

TIRANE, 21 Mars /ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj i është përgjigjur akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me raportin e FMN-së.

“Që Lulzim Basha nuk e njeh mjaftueshëm as tabelën e shumëzimit, ky është fakt botërisht i njohur! Që Lulzim Basha ngatërrohet edhe kur flet për paratë e partisë së tij, këtë e tregoi më së miri numri i shpjegimeve kontradiktore që dha publikisht për financimet ruse të fushatës së tij kundër Shqipërisë nëpër botë! Po që Kryetari i Opozitës ta lexojë publikisht raportin e FMN-së, si një analfabet që nuk ndjek dot as fillin e abetares, kjo shkon përtej Lulzimit si simbol paaftësie individuale e budallallëku politik dhe rëndon qenësisht vetë institucionin e opozitës! Dhe ky është tanimë një problem i madh shoqëror, jo thjesht një boshllëk i madh politik në shoqëri”, shkruan Ahmetaj në Facebook.

Ahmetaj thotë se raporti njeh qartë arritjet e Shqipërisë.

Raporti i FMN është shumë serioz për një qenie kaq jo-serioze sa ç’është opozita sot. Në raport janë të qarta arritjet e padiskutueshme dhe sfidat e pamohueshme të ekonomisë së Shqipërisë sot, e cila rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe nuk ka lidhje as me fjalën “krizë” e as me fjalë të tjera të përdorura rëndom në fletërrufetë e përditshme të Partisë Demokratike e të kryetarit të saj. Ngushëllime të sinqerta asaj partie, prej të cilës nuk kemi pritur ndonjë gjë të madhe, por që na befason përditë me broçkullat e mëdha që prodhon për një konsum publik gjithnjë e më në rënie!. thekson Ahmetaj. e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.