SOFT NEWS – I refuzohet pija alkoolike, sulmon me… granatë!

KISHINJEV, 20 mars /ATSH-AFP/ – Dy persona u vranë dhe disa të tjerë plagosen në Kishinjev, kryeqyteti i Moldavisë, për shkak të shpërthimit të një granate të aktivizuar nga një person, të cilit i ishte refuzuar shitja e një pijeje alkoolike, sipas Ministrisë së Brendshme moldave.

”Shpërthimi ndodhi rreth orës 12:00, në një restorant të vogël në qendër të kryeqytetit moldav”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas të njëjtit burim, dy persona kërkuan të blejnë pije alkoolike, por një punonjëse e lokalit refuzoi dhe njëri prej tyre hodhi një granatë.

Shefi i zyrës së hetimeve të policisë moldave, Alexandre Panzari, u shpreh se ky person kishte debatuar me punonjësen sepse kishte kërkuar të largohej pa paguar edhe 10 paketa cigare.

Ish-republika sovjetike që ndodhet mes Rumanisë dhe Ukrainës, Moldavia, është një prej vendeve më të varfëra të Europës.

Sipas statistikave të publikuara në vitin 2015 nga Banka Botërore, konsumi i alkoolit për banor është 17,4 litra, thënë ndryshe vendi i parë në botë./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.