Negociatat me Greqinë, Meta: Bashkëpunim mjaft konstruktiv me Bushatin

TIRANË, 20 Mars/ATSH/.- Presidenti Ilir Meta shprehu sot bindjen se ka realizuar një bashkëpunim të dobishëm me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati sa i takon çështjes së negociatave me Greqinë.

Pas simpoziumin me temë “Imam Aliu, midis traditës dhe modernitetit”, Presidenti Meta iu përgjigj interesimit të medias mbi procesin e negociatave me Greqinë.

“Kemi realizuar një bashkëpunim mjaft konstruktiv dhe të dobishëm për të pasur një proces solid nga pikëpamja kushtetuese por edhe tekniko-ligjore për negociata sa më të suksesshme për një marrëveshje me Greqinë. Besoj se është bërë një punë e konsiderueshme. Jemi në një proces mjaft solid nga pikëpamja kushtetuese”, u shpreh Presidenti.

Sa i takon përfshirjes në grupin negociator edhe të ekspertit të së drejtës ndërkombëtare, Profesor Ksenofon Krisafi, Meta tha se ishte një propozim mjaft pozitiv dhe i mirëpritur nga ana e tij.

“Ka qenë një propozim shumë pozitiv dhe mjaft i mirëpritur nga ana ime për arsye sepse është një personalitet në fushën e të drejtës ndërkombëtare por edhe me mjaft eksperiencë për raste të tilla”, tha ai.

Harmonia fetare në Shqipëri, proverbiale

Harmonia fetare në Shqipëri tashmë është proverbiale, tha Presidenti Ilir Meta në simpoziumin me temë “Imam Aliu, midis traditës dhe modernitetit”.

Për bektashinjtë tanë, tha Meta, Shqipëria ngelet mbi gjithçka. “Ky besim u përqafua nga shqiptarët për vetë mesazhin dhe mistikën hyjnore që përfaqësonte. Ky besim u shëndërrua gjatë shekujve në një besim dialogu dhe tolerance, por dhe në një faktor të rëndësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste”, tha Presidenti.

Meta vlerësoi faktin e harmonisë fetare në Shqipëri si një model përballë ekstremizmit dhe radikalizmit në botë./i.vata/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.