Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosovë-Pranvera vjen me dëborë

PRISHTINË, 20 Mars /ATSH/.-Në mëngjesin  e ditës së sotme të ardhjes së pranverës në Prishtinë e rajone tjera të Kosovës nisi të bie dëborë.  Instituti Hidrometeorologjik kishte parashikuar fillimin e pranverës në Kosovë me reshje shiu e dëbore dhe kësaj jave rënie temperatuarave deri -3 e 2 gradë Celcius minimalet dhe 4-11 gradë maksimalet.

Në Prishtinë dëborë bie edhe në pranverë e vjeshtë. Në mëngjesin e 20 prillit 2017 kryeqyteti i Kosovës ishte i zbardhur nga dëbora që nisi me fjolla të lehta një ditë më parë e vazhdoi të reshë më dendur natën.

Në 2016-tën dëborë pranverore ra edhe natën mes 25 e 26 prillit. Ndërsa, dëbora e fundit pranverore në 2015-tën  ra në ditën e gjashtë të muajit prill, pas asaj që nisi mbrëmjen e 1 prillit e që pasonte atë të prag festës së Ditës së Verës – 14 marsit.

Në Prishtinë dëbora e parë e dimrit që ikën sot ra dy muaj e gjysmë para ardhjes, që në vjeshtë, natën mes 6 e 7 tetorit  2017.

Afër një muaj më e “vonuar” dhe më e paktë me një tis i hollë që zbardhte veçanërisht çatitë ishte dëbora e parë në vjeshtën 2016, e rënë natën mes 3 e 4 nëntorit në Prishtinë.

Në vjeshtën e vitit 2015 Prishtina ishte e mbuluar nga dëbora e parë në mëngjesin e 27 nëntorit.

E  vjeshtën e vitit 2014 dëbora e parë ka reshur dy muaj para ardhjes së dimrit me kalendar, natën mes 22 e 23 tetorit.

Prishtinës, ku moti ndërron edhe brenda orëve e ditës, e dëborë bie edhe në stinë pranvere e vjeshte, thuhet se i ka mbetur emri si një vend ku prishet stina (Prishstina), siç thuhet edhe se e mban emrin e trashëguar nga Perandori Justiniani./b.j/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version