Kosovë – Demarkacioni me Malin e Zi sërish sot në Kuvend

PRISHTINË, 20 Mars /ATSH/ – Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është sot pika e vetme e axhendës së seancës së jashtëzakonshme plenare të Kuvendit kosovar, e cila ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 të parlamentit me 120 anëtarë.

Duheshin së paku edhe 2 vota derisa dy parti ishin deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare dhe Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës.

Por, grupi parlamentar i  Lëvizjes Vetëvendosje nuk është më si ishte deri javën e kaluar më i madhi me 32 deputetë, pasi ndarja u pa edhe në sallën e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që gjatë javës së kaluar u zhvilluan punime në seanca plenare për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara me mungesa kuorumi.

Në mbrëmjen e 14 marsit Kryesia e Kuvendit zyrtarizoi kërkesën e 12 deputetëve për krijimin e grupit të ri parlamentar – Grupi i Deputetëve të Pavarur, nga të dorëhequrit e Vetëvendosjes, e cila tani ka 19 deputetë pas kalimit edhe të një deputeteje të deritanishme të saj në partinë që udhëheqë me qeverinë – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë më parë.

Lëvizja Vetëvendosje nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës ​ ka kaluar në vendin e tretë.

Tani grupi i parë – më i madh parlamentar është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti opozitare, me 27 deputetë, e cila me kohë ka deklaruar votën pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin.

I dyti është grupi parlamentar nga koalicioni qeverisës, i Partisë Demokratike të Kosovës me 23 deputetë.

Partitë tjera të koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tani ka grupin parlamentar me 11 deputetë, Nisma me 6, ndërsa Aleanca Kosova e Re ka 2 deputetë pa grup parlamentar. Janë edhe 4 deputetë te tjerë pa grup parlamentar, mes të cilëve një serb që është deklaruar pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin, që është edhe një kusht i BE për liberalizimin e vizave.

Nga së paku dy votat që, sipas llogarive, duheshin për ratifikimin e demarkacionit tani duket se ka mbetur vetëm një, pasi njëra është siguruar me kalimin e deputetes së Vetëvendosjes në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e ndonjë tjetër ka pritje të jetë nga partia e sapo ndarë.

Ndërsa, për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk ekziston”.

“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”,  ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka grupin parlamentar me 10 deputetë në Kuvend dhe 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz./b.j/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.