Projektligji “ombrellë” që do mbulojnë marrëdhëniet e shtetit me diasporën

TIRANË, 19 Mars /ATSH- I. Vata/ -“Diaspora nuk është një çështje politike por ajo kërkon konsensus politik që të mundësohet ecja në një hap e diasporës me shtetin e vet”, ka pohuar Ministri i Shtetit për Diasporën gjatë takimit me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Londër, përfshirë edhe studente.

Ndërsa e konsideroi një sfidë çështjen e diasporës, ministri Majko tha se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e strukturave që do të mundësojnë forcimin e marrëdhënies së shqiptarëve jashtë vendit me shtetin e tyre.

Po ashtu, Ministri informoi të pranishmit në sallë lidhur me ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës e gjithashtu për projektligjin ‘ombrellë’ , i cili siç tha, do të strukturojë të gjitha institucionet që do të mbulojnë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me diasporën.

‘Duam të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë me diasporën, e cila nuk do të zbehet me ndërrimin e qeverive. Po përpiqemi ta institucionalizojmë atë, në mënyrë që të mos mbetet thjesht një dialog në distancë. Shteti shqiptar duhet të jetë në një linjë me diasporën e vet”, u shpreh ministri.

Më tej ai, vlerësoi arritjet dhe sukseset e shqiptarëve në Britaninë e Madhe por e vuri theksin tek nevoja e një organizimi më të madh në nivele të ndryshme.

Duke përmendur aftësitë e brezit të ri, Ministri kërkoi më shumë angazhim për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

Gjithashtu, ministri Majko foli edhe për përpjekjet që po bëhen për të krijuar kushte të favorshme për orientimin e biznesmenëve shqiptarë drejt vendit të tyre të origjinës.

Të pranishëm në takimin me komunitetin shqiptar në Londër ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë, Qirjako Qirko dhe ai Kosovës Lirim Greiçevsi. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.