Kosova përkrahje të shumëfishtë nga Gjermania në fushën e kulturës

PRISHTINË, 19 Mars/ATSH/.- Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, gjatë një takimi me ministrin e Shtetit për Evropë të Republikës Federale të Gjermanisë, Michael Roth, njëherësh edhe Zëvendësministër i Jashtëm, diskutoi për bashkëpunimin dhe përkrahjen që shteti gjerman po jep për Kosovën.

Zëvendësministri Hoti ka falënderuar ministrin Roth për përkrahjen që shteti gjerman ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat, sidomos në ato të kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë Kulturore.

Hoti kërkoi nga Roth që të angazhohet ta ndihmojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të kulturës, në rrjetin Traduki dhe të lobojë për anëtarësim në UNESCO, ku edhe mori përkrahjen e Roth.

Zëvendësministri u shpreh që forcimi dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve është i rëndësisë strategjike në të gjitha fushat e kulturës përmes realizimit të projekteve konkrete dhe shkëmbimit të përvojave e profesionistëve të fushave, ku mori edhe miratimin e ministrit Roth.

Po ashtu, Hoti u takua edhe me drejtorin e Panairit të Librit të Lajpcigut, Oliver Zille, me të cilin diskutoi për mundësinë që Kosova të jetë e pranishme vazhdimisht në Panairin e Librit me botime të të gjitha zhanreve të librit.

Drejtori Zille u shpreh se e mirëpret pjesëmarrjen e Kosovës në panair si një vlerë të shtuar dhe që e pasuron këtë organizim që ka një traditë shumë të vjetër dhe ku marrin pjesë shtete të ndryshme anekënd botës.

Në vazhdën e këtyre takimeve, Hoti ka realizuar një bisedë edhe ambasadoren e Lihtenshtajnit në Berlin, Isabel Frommelt-Gottschald. Hoti diskutoi me ambasadoren për ndërtimin e raporteve më të drejtpërdrejta në bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve si dhe në përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë që merren me fushën e kulturës.

Zëvendësministri Hoti ka përfaqësuar Kosovën në pjesëmarrjen e saj në Panairin e Lajpcigut me ftesë të Tradukit, edhe pse nuk jemi ende anëtarë të këtij rrjeti evropian.

Pjesëmarrja dhe diskutime gjatë kësaj vizitë kanë qenë me rëndësi sepse janë realizuar takime bilaterale në nivel ministrash për avancimin e institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.