Haradinaj: Roli i USAID-it në zhvillimin ekonomik mbetet i pazëvendësueshëm

PRISHTINË, 19 Mars/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi sot përkrahjen e fuqishme të USAID-it në ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe në fusha të tjera.

Gjatë një takimi me zëvendës asistenten e Administratorit të USAID-it, nga Byroja për Evropë dhe Euroazi në Uashington, Gretchen Birkle, Haradinaj, shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-së dhe të USAID-it.

Ai gjithashtu shprehu përkushtimin e plotë për përparimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit.

Në takim, ku i pranishëm ishte drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, kryeministri Haradinaj, falënderoi për përkrahjen që USAID-i ka dhënë në krijimin e një ambienti më të volitshëm për të bërit biznes.

Zëvendës asistentja e Administratorit të USAID-it, nga Byroja për Evropë dhe Euroazi në Uashington, Gretchen Birkle, vlerësoi arritjet e deritanishme, bashkëpunimin me institucionet e vendit, si partner serioz në projekte konkrete, duke shtuar se USAID-i mbetet i përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe fusha të tjera në interes të vendit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.