DANIMARKË – Sulm me koktej molotov kundër ambasadës turke

KOPENHAGË, 19 mars /ATSH-AA/ – Një sulm me koktej molotov është ndërmarrë kundër ambasadës së Turqisë në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagë.

Në një deklaratë për gazetarët, Torben Madsen nga policia e Kopenhagës tha se policët e patrullës incidentin e kanë vërejtur sot në mëngjes, në orën 02:55.

Madsen theksoi se në zonë janë dërguar një numër i madh i ekipeve policore duke shtuar se policët që kanë vërejtur incidentin janë fokusuar në fikjen e zjarrit në ndërtesë në vend të kapjes së personave përgjegjës.

Ai tha se janë të mendimit që sulmin e kanë kryer katër persona duke hedhur katër koktej molotovi.

Madsen tha se në lidhje me incidentin janë duke vijuar hetimet e rastit.

Si pasojë e incidentit nuk ka pasur të vdekur ose të lënduar, megjithatë, ndërtesa e ambasadës ka pësuar dëme materiale.

Nga ambasada në fjalë ende nuk është bërë ndonjë deklaratë në lidhje me rastin, ndërkohë që policia ka marrë masa të rrepta të sigurisë para ndërtesës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.