Sezoni turistik, Rama: Nis programi i dizinsektimit nga Divjaka

TIRANË, 18 Mars /ATSH- I. Vata/ – Në pragun e sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka nisur sot nga Divjaka programin e dizinsektimit në zonat turistike bënë të ditur kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij mirëmëngjesi.

Në një postim në statusin e tij social Facebook, kryeministri Rama shkruan, “MIRËMËNGJES dhe me këto pamje nga programi i dizinsektimit që ka nisur nga Divjaka për të vijuar përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Butrinti në Velipojë, ju uroj një të dielë të qetë”.

Nëpërmjet një video të publikuar nga kryeministri Rama, thuhet se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nisi nga Divjaka programin e dizinsektimit në zonat turistike.

Po ashtu në promocionin e videos jepen shpjegime për situatën e dizinsektimit që ka nisur më herë se çdo vit tjetër dhe do të vijojë nga Butrinti në Velipojë.

“Procesi i dizinsektimit është një nisëm shumë e rëndësishme e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për këtë vit procesi i dizinsektimit ka nisur më herët se vitet e tjera në zonën e Divjakës për shkak se nga monitorimet entimologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga Drejtoria e Shëndetit Publik, Lushnje, ku janë evidentuar vatra pozitive me larva mushkonjash. Reduktimi i popullatave të mushkonjave ka një rëndësi të veçantë përsa i përket turizmit, sepse ulën shumë shqetësimin që paraqesin mushkonja si dhe transmetimin e sëmundjeve infektive. Procesi i dizinsektimit do të vazhdojë në të gjithë linjën bregdetare duke filluar nga zona e Butrintit deri në zonën e Velipojës”, thuhet në video./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.