Tryeza Sektoriale mbi Ekonominë, Qato: Diskutuam mbi problematikat në sistemin fiskal

Tiranë, 16 Mars/ATSH/- Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Shoqatave të Turizmit, Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si dhe forume të ndryshme, me të cilët diskutoi për problematikat në sistemin fiskal, si dhe marrjen parasysh të vërejtjeve dhe sugjerimeve nga ana e grupeve të interesit.

Ministrja Qato me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan:

“Sot gjatë tryezës sektoriale mbi Ekonominë u diskutua mbi problematikat lidhur me sistemin fiskal dhe marrjen parasysh të vërejtjeve dhe sugjerimeve të grupeve të interesit në hartimin dhe përgatitjen e ligjeve për të bërë të mundur implementimin sa më të drejtë të tyre.

Pjesë e tryezës së diskutimit ishin: Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Forumi Kombëtar i Biznesit, Shoqata e Transportuesve Kombëtarë dhe Ndërkombëtarë të Udhëtarëve, Shoqata Shqiptare e Operatorëve Turistikë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Bashkimi i Industrialistëve”, përfundon ministrja Qato. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.