SUEDI – Ri Yong Ho në Stokholm pas çtensionimit të marrëdhënieve Perëndim-Phenian

STOKHOLM, 16 mars /ATSH-AFP/ – Ministri koreano-verior i Punëve të Jashtme, Ri Yong Ho ndodhet në Stokholm për bisedime me qeverinë suedeze, në kontekstin e çtensionimit të situatës mes Perëndimit dhe Phenianit.

”Ka patur një takim. Nuk mund të themi asgjë lidhur me përmbajtjen e tij”, deklaroi për median, Jonatan Holst, zëdhënës i kryeministrit Lofven.

Ri Yong Ho mbërriti dje në mbrëmje në kryeqytetin suedez, bashkë me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Departamentit për Amerikën e Veriut të ministrisë së tij, Choe Kang Il, pas një ndalese në Pekin.

Ai darkoi në ministri me homologen suedeze, Margot Wallstrom, përpara vizitës në ambasadën koreano-veriore, por pa dhënë asnjë deklaratë.

Sipas Stokholmit, Ri dhe bashkëbiseduesit e tij pritet të diskutojnë rreth çështjes së denuklearizimit të gadishullit korean dhe një samiti të mundshëm midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong Un.

Zyrtarisht, këto konsultime pritet të përfundojnë këtë të premte, por sipas mediave suedeze dhe të huaja, ministri koreano-verior do të qëndrojë në Suedi deri ditën e dielë.

Diplomacia suedeze theksoi se nuk do të ketë konferencë shtypi gjatë vizitës së tij, por një deklaratë pritet të bëhet publike të premten në mbrëmje pas takimeve./ /v.b/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.