Schütz: Qeveria shqiptare e vendosur të sigurojë një jetë më të mirë për qytetarët

TIRANE, 16 Mars/ATSH/- Gjermania do të vijojë të mbështesë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të ngritur vendin në nivelet e standardit europian.

Kështu deklaroi sot ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schütz në konferencën për sfidat e migracionit që u mbajt në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Rritja e mundësive për punë dhe kujdes shëndetësor, sidomos për të rinjtë, sipas ambasadores gjermane është një ndër sfidat e qeverisë.

“Vlerësojmë se qeveria është e vendosur të sigurojë një jetë më të mirë për shqiptarët këtu”, deklaroi ambasadorja gjermane.

Gjermania, tha ajo, donatori bilateral më i madh dhe kontribuon me programe të shumta në shumë sfera të ekonomisë shqiptare.

Sipas Schütz, Gjermania mirëpret lëvizjen e lirë të shqiptarëve apo qytetarëve nga vende të tjera, brenda rregullave të përcaktuara deri në 90 ditë. Gjithashtu, tha ajo, vlerësojmë edhe interesin në rritje të të rinjve që duan të studiojnë dhe kjo, sipas saj, kontribuon në kontaktet mes njerëzve që është shumë e rëndësishme për të kuptuar më mirë Europën e sotme dhe njëri-tjetrin.

“Ne nuk mirëpresim abuzimin me këto të drejta të lëvizjes dhe kërkesën për azil”, deklaroi Schütz.

Në vitet 2016 kërkesat për azil arritën kulmin, tha Schütz, por falë bashkëpunimit me autoritet shqiptare numri i azil kërkuesve po vjen në rënie.

“Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Europian dhe nuk është një vend me persekutim politik që ishte një nga arsyet për të dhënë azil”, shprehet ajo.

Duke folur për emigrimi legal, ambasadorja gjermane në vendin tonë bëri të ditur se tregu është i hapur për punëtorët e kualifikuar.

“Nëse ata plotësojnë kushtet, shqiptarët kanë mundësi të aplikojnë për viza pune dhe aktualisht 3 mijë shqiptarë kanë përfituar në 2017 nga këto viza pune”, deklaroi Schütz.

Ibrahimi: 25 mijë shqiptare arsimohen dhe studiojnë jashtë vendit

Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Delina Ibrahimi deklaroi sot në konferencën për sfidat e migracionit se ndër arsyet e largimit t shqiptarëve nga vendi janë mundësitë për punësim, arsimi dhe rritja e standardit të jetesës.

Shqipëria, tha ajo, jetoi një emigracion masiv në vitet 90 dhe arsyeja kryesore ishin kushtet e jetesës dhe varfëria.

Sipas saj, pas analizave të cencusit të 2011 u panë ndryshime strukturore tek azil kërkuesit.

“Arsyet e largimit të vendit kanë të bëjnë me punësimin, arsimimin apo rritjen e standardit të jetesës. Një tjetër faktor është rritja ekonomike e BE, e cila duke pasur një normë papunësie të ulët kanë më shumë kërkesa për forca pune dhe kjo është arsyeja kryesore kërkojnë të migrojnë drejt Gjermanisë Mbretërisë së Bashkuar dhe Belgjikës.

Sipas shifrave, informoi kreu i INSTAT, janë 25 mijë shqiptare arsimohen dhe studiojnë jashtë vendit.

Ibrahimi u ndal edhe tek një tjetër dukuri, ajo e rikthimit. Sipas saj, rezulton se në Shqipëri kthehen mesatarisht 25 mijë emigrantë në vit.

“Rikthimi i emigrantëve është një sfidë për shoqërinë shqiptare pasi duhen gjetur instrumentet e duhura për të krijuar kushtet e duhura për ti riintegruar ata”, u shpreh Ibrahimi.

Duke folur për avantazhet dhe disavantazhet e këtij fenomeni, Ibrahimi tha se emigrantët sjellin të ardhura, investime dhe teknologji, dije dhe aftësi, por nga ana tjetër, u shpreh ajo, largimi i personave në moshë pune sjell uljen e forcës potenciale të punës.

“Në rast të një zhvillimi të shpejtë të ekonomisë mund të krijohen boshllëqe në tregun e punës, por ende ky fenomen nuk është kthyer në disavantazh, pasi kemi rritje të punësimit”, shpjegoi drejtoresha e INSTAT-it. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.