Takimi Ruçi-Burić, vlerësohen arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve të KE-së

Tiranë, 15 Mars/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në një takim Zv/Kryeministren dhe Ministren për Çështjet e Jashtme dhe Europiane të Kroacisë, Marija Pejčinović Burić, ku u vlerësuan arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve të KE-së.

Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë, dy personalitetet e larta vunë në dukje vullnetin e përbashkët për thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në fusha me interes reciprok, veçanërisht në aspektin ekonomik. Gjatë bashkëbisedimit, Ruçi dhe Pejčinović Burić ndanë mendime të njejta për rëndësinë e vijimit të shkëmbimit të përvojave mes palëve, si në kuadër të bashkëpunimit parlamentar, ashtu dhe nëpërmjet institucioneve të tjera shtetërore, me qëllim përfitimin nga eksperienca e suksesshme kroate në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje përpjekjet serioze të shtetit shqiptar për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe theksoi se miratimi dhe fillimi i zbatimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë po jep frytet e para pozitive. Në vijim, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Shqipërinë në procese të rëndësishme për zhvillimin e vendit, Kryetari i Kuvendit kërkoi mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në kuadër të vendimmarrjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Nga ana e saj, Marija Pejčinović Burić, duke vlerësuar arritjet pozitive të Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve të KE-së, e veçanërisht sa i takon Reformës në Sistemin e Drejtësisë, shprehu mbështetjen e plotë të Kroacisë për vendin tonë në procesin e integrimit në BE. Ajo edhe një herë vuri në dukje faktin se, Strategjia për Ballkanin Perëndimor e prezantuar nga Komisioneri Junker, në dritën e politikave për një Europë më të bashkuar, më të fortë dhe më demokratike, shpreh një perspektivë të qartë anëtarësimi për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.