Balla publikon kontratën me firmën e Bashës: Biznesmenë rusë paguan lobimin në SHBA

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155650583841523/

TIRANE, 15 Mars /ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se kanë qenë biznesmenë rusë të cilët kanë paguar për PD-në në Uashington ndërsa publikoi kontratën e nënshkruar nga Basha me Muzin Capitol për financim dhe lobim rus të PD në SHBA.

Duke iu drejtuar kreut të opozitës,  Balla tha se “ç’ke bërë ti me ndihmën ekonomike ruse, Lulzim? Kush kanë qenë këta shqiptaro-amerikanë fantazmë që paskan mbledhur për ty 1 mln usd, për një kryedembel, për të baltosur Shqipërinë. Nuk bëhen 100 shqiptarë që të mblidhen për të sharë Shqipërinë, nuk e bëjnë shqiptarët këtë. Mediat botërore flasin për përfshirje të disa biznesmenëve rusë për financimin tënd, në një moment shumë të rëndë të Shqipërisë, për destabilitetin. Ke tre muaj që ç’gënjeshtër thua në një banak, nuk e thua në një banak tjetër”

“Thua dy herë rresht të kundërtën e asaj që the herën e parë”, vijoi Balla, duke shtuar se “ke dalë dhe ke thënë që PD nuk ka firmosur kontratë me lobistin Muzin”.

Balla lexoi numrin e pasaportës së kreut të PD-së dhe tregoi firmën e tij për këtë kontratë.

“Ja ku e ke Lulzim kontratën, ku e ke firmosur ti, madje ke vënë edhe numrin e pasaportës”, vijoi ai.

Gjatë fjalës së tij Balla evidentoi mungesën e ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, i cili sipas tij është përgjegjës për tragjedinë e rëndë ku një fshat i tërë u hodh në erë.

Balla tha se Berisha nuk është lejuar nga Basha të shkojë në Kuvend, pikërisht se seanca përkon me 10 vjetorin e Gërdecit.

“Një përkujtim në memorie të 26 të vrarëve në Gërce, bëhen 10 vite nga dita që shteti hidhte në erë një fshat të tërë, e ku përgjegjësia penale e atij krimi e tragjedie të rëndë nuk është bërë. Ju që ikni ng salla sa herë që në sallë thuhen të vërteta, Lulzim ke bërë mirë që nuk e ke lejuar Saliun të vinte në sallë se do ishte një tjetër provokim i rëndë për pamundësinë që drejtësia të kishte bërë detyrën. Tragjedia dhe krimi i Gërdecit duhet hetuar deri në fund për të gjithë fajtorët, për 26 jetët e humbura e pronat e shkatërruara. Duhet të vihet aty ku i takon dhe fajtorët të shkojnë aty ku u takon”, u shpreh Balla.

Duke u ndalur mbi çështjen e ndihmës ekonomike, Balla u shpreh se, diferenca në skemën e re të ndihmës ekonomike që po zbaton qeveria, qëndron në faktin e sigurimit të kësaj ndihme reale vetëm për të më të varfërit dhe për ata që nuk kanë mundësi fizike. Ndërsa  politikat e qeverisë synojnë nxitjen e punësimit.

“Ne duam të krijojmë një shtet real që garanton në radhë të parë mirëqënie, punësimin por edhe mbështetje sociale kujdo që nuk mund t’i sigurojmë punësimin dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundësis fizike”, tha Balla.

“Çdo diskutim për këtë çështje, nëse do të ishte vërtetë çështje për opozitën theksoi Balla , duhet të fillojë nga disa pyetje themelore se, a janë realisht familjet e varfëra përfituese të ndihmës ekonomike, a bën përjashtime të padrejta kjo skemë dhe quhet përgjegjësi e kryer e shtetit për të nxjerrë nga situata familjet në nevojë. Por ju i doni të varfërit vetëm për propogandë”, tha Balla.

Ai theksoi se, miratimi me konsensur i marrëveshjes me BERZH-in më 18 shtator 2012 , për financimin e projektet të modernizimit të asistensë sociale, u pranua nga të gjithë deputet e opozitës dhe pozitës, për tí ofruar ndihmë ekonomike të varfërve të vërtetë.

Por deri në atë moment tha Balla, realisht vetëm 14% e familje të varfëra trajtoheshin me ndihmë ekonomike, ose 1 në 7 familje të varfëra. Ndaj ishte momenti t’i jepej fund kësaj ndihme ekonomike që realisht për të varfërit e vërtetë nuk shkonte.

Formula e pikëzimit që garanton transparencë dhe lehtësimi i procedurave mundësoi që 18730 familje të aplikojnë për herë të parë në këtë skemë dhe të kualifikon në këtë skemë, tha Balla./e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.