Taksa të ulëta dhe subvencione për bizneset që nxisin punësimin

TIRANË, 14 Mars/ATSH/ – Shteti duhet të mbështesë me ulje taksash dhe subvencione ato sipërmarrje dhe biznese që nxisin prodhimin, punësimin dhe mirëqenien e shqiptarëve.

Kështu deklaroi të mërkurën nga Elbasani, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili vizitoi panairin tradicional të Ditës së Verës, ku merrnin pjesë sipërmarrës e artizanë.

“Kemi vizituar si çdo vit panairin këtu në Elbasan. I uroj nga zemra të gjithë ata sipërmarrës, artizanë dhe tregtarë, që çdo vit paraqesin punën dhe prodhimet e tyre në këtë panair”, tha Basha.

Ai u shpreh i impresionuar në veçanti nga disa prej këtyre bizneseve që marrin pjesë në këtë panair. “Kam parë një bashkim vullnetar të zonjave shtëpiake që bëjnë punime dore,  kam parë një përparim shumë të mirëpritur në industrinë e përpunimit dhe mbledhjes së mjaltit dhe në veçanti, jam impresionuar që në Elbasan ndodhet një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë”, tha Basha.

Basha u ndal në këto tre sektorë që, sipas tij, meritojnë mbështetje të drejtpërdrejt nga shteti, me ulje ose heqje të taksave në disa raste, si dhe subvencione për të krijuar një atmosferë sa më të mirë për prodhimin, punësimin dhe mirëqenien e shqiptarëve.

“I përcjell urim çdo banori të Elbasanit dhe gjithë shqiptarëve Gëzuar Ditën e Verës! Ashtu siç çelin lulet në pranverë, ashtu çeltë shpresa dhe optimizmi në zemrën e çdo shqiptari!”, uroi Basha. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.