Reshjet, vijon furnizimi me ushqime dhe ujë për banorët e Shkodrës

TIRANE, 14 Mars/ATSH/- Reshjet e shumta të shiut që përfshinë vendin gjatë së shkuar sollën përkeqësimin e situatës në qarkun e Shkodrës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se strukturat e Forcave të Armatosura vijojnë operacionet për transportimin e komunitetit të banorëve të zonave të përmbytura kryesisht nga fshati Obot për në fshatin Oblikë, dhe anasjelltas.

Në operacion, sipas njoftimit për shtyp të MM, janë të angazhuar edhe 23 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ndërkohë, sipas njoftimit për shtyp, vijon furnizimi me bazën ushqimore të banorëve të zonës dhe asaj për bagëtitë.

Bashkia Shkodër me anë të 2 mjeteve autobotë ka bërë furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.

Sipërfaqja totale e tokës së përmbytur në qarkun e Shkodrës ka arritur rreth 1895 ha.
Në bashkia e Vau-Dejës, në njësinë administrative Bushat ka pasur 180 ha tokë të përmbytur.

Në bashkinë e Shkodër, në njësinë administrative Bërdicë ka pasur 70 ha tokë të përmbytur. Niveli i ujit ka pësuar rritje në mënyrë graduale.

Në njësinë administrative Dajç, ka pasur 540 ha tokë të përmbytur. Në lagjen Zadrimë të fshatit Shirq u izoluan nga uji 17 familje dhe në fshatin Mushan, 4 familje.

Për lartësimin e argjinaturës së Pentarit është kërkuar që të ndërhyhet në rreth 300 ml gjatësi.

Në njësinë administrative Ana e Malit ka pasur 1100 ha tokë të përmbytur. Niveli i ujit ka pësuar rritje.

Në fshatin Obot kalimi është bërë i mundur vetëm me varka. Ujësjellsi Oblika 1 ka qenë jashtë funksionit si pasojë e përmbytjeve.

Në njësinë administrative Guri i Zi ka pasur 5 ha tokë të përmbytur. Fenomeni i erozionit në tokat bujqësore ka vazhduar. Në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës, ka vazhduar gërryerja e tokës./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.