LONDËR – May: Hawking një shpirt brilant dhe i jashtëzakonshëm

LONDËR, 14 mars /ATSH-AFP/ – Kryeministrja britanike, Theresa May e konsideroi astrofizikanin, Stephen Hawking, i cili vdiq sot në moshën 76-vjeçare, si një shpirt brilant dhe i jashtëzakonshëm.

“Profesor Stephen Hawking ishte një shpirt brilant dhe i jashtëzakonshëm, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të epokës së tij”, shkruajti May në Twitter.

“Kurajoja, humori dhe vendosmëria e tij për të marrë më të mirën nga jeta përbën një burim frymëzimi. Trashëgimia e tij nuk do të hattohet”, shtoi ajo.

Shkencëtari i njohur botërisht i fizikës teorike, Stephen Hawking vdiq sot në moshën 76-vjeçare, njoftoi familja e tij.

”Ai vdiq në gjumë, në shtëpinë e tij në Cambridge”, shtoi familja.

“Jemi të trishtuar për ikjen e babait tonë. Ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm”, thanë fëmijët e tij, Lucy, Robert dhe Tim.

Në vitin 2017, Hawking, i cili në moshën 21-vjeçare u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme që i prekën neuronet dhe që e detyruan atë të përdorte karriken me rrota, ndërkohë që përdorte një zë kompjuterik për të komunikuar, i deklaroi BBC-së se nuk priste kurrë të arrinte të 75-tat.

”Besoj se arritja ime më e madhe ka qenë zbulimi i vrimave të zeza në hapësirë, që nuk janë plotësisht të tilla, çka është e rëndësishme për të kuptuar se paradokset mes mekanikës kuantike dhe relativitetit mund të zgjidhen”, i kishte deklaruar ai BBC-së në të njëjtën intervistë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.