Haradinaj: Ligji për Gjuhët, hap madhor i të drejtave për shqiptarët

Tiranë, 14 Mars/ATSH/- Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përgëzuar qytetarët shqiptarë të Maqedonisë për miratimin e Ligjit për Gjuhët nga Parlamenti maqedonas.

Sipas Haradinajt Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxitë zhvillimin demokratik të tij dhe i hapë perspektiven e vendit drejt integrimeve euro-atlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së.

Uroj të gjithë bashkkombasit tanë në Maqedoni për ketë akt kaq të madh legjitim që hapë perspektiven e tyre, si dhe shtetin maqedon për këtë hap të rëndësishëm për tërë rajonin.”/KosovaPress//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.