Xhafaj me ambasadorët e vendeve të BE: Të inkurajuar për vlerësimet pozitive

134

TIRANE, 13 Mars/ATSH/- Rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, ishin në fokus të takimit që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi sot me ambasadorët e vendeve anëtarë të BE-së.

Në një postim në Twitter, ministri ka bërë të ditur detaje nga ky takim i cili është i dyti pas 3 muajsh.

Duke e konsideruar një bashkëbisedim tejet konstruktiv, Xhafaj thekson se “jemi të emocionuar dhe të inkurajuar për vlerësimet tejet pozitive, për besimin e shprehur për Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Task Forcën Speciale si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”.

“ Jemi në rrugën e duhur dhe të vendosur të ecim përpara”, thekson Xhafaj. Më tej, ministri bën të ditur se gjatë këtij takimi u prezantuan rezultate e arritur në disa fusha si: si në luftën kundër krimit të organizuar në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, Antikanabisin, Menaxhimin e Kufirit, Policit në Komunitet, Vetting-un etj.

“ Shprehëm mirënjohjen për bashkëpunimin e krijuar këto muaj pune të përbashkët. Informova dhe iu përgjigja interesit të tyre të veçantë për punën dhe progresin e bërë në kuadër të zbatimit të prioriteteve dhe masave për konsolidimin e shtetit ligjor”, shton Xhafaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.