Shqipëria, në panairin e importeve në Shangai

216

Shqipëria, në panairin e importeve në Shangai

Shqipëria, në panairin e importeve në ShangaiKina do të organizojë në Shanghai, të parën Ekspozitë të Importit dhe Shqipëria do të jetë një ndër vendet pjesëmarrëse. Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, në një intervistë për CRI Shqip, deklaroi se propozimi i ekspozitës dhe panairit të Shangait, në nëntor të këtij viti, është një hap që dëshmon qartazi ndjekjen e politikës së hapjes ndaj vendeve të tjera, politikën e lehtësimit të barrierave, jo vetëm tarifore por edhe atyre teknike dhe jo tarifore ndaj importeve.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 13.03.2018

TIRANË, 13 Mars/ATSH/ – Kina do të organizojë në Shangai, të parën Ekspozitë të Importit dhe Shqipëria do të jetë një ndër vendet pjesëmarrëse.

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, në një intervistë për CRI Shqip, deklaroi se propozimi i ekspozitës dhe panairit të Shangait, në nëntor të këtij viti, është një hap që dëshmon qartazi ndjekjen e politikës së hapjes ndaj vendeve të tjera, politikën e lehtësimit të barrierave, jo vetëm tarifore, por edhe atyre teknike dhe jotarifore ndaj importeve.

Kina, vlerëson Belortaja, mirëpret produktet e vendeve tona, veçanërisht vendeve që i janë bashkuar nismës ‘Një brez, një rrugë’ në tregun e saj të brendshëm.

“Shqipëria, jo vetëm e mirëpret, por po përgatitet të marrë pjesë denjësisht në këtë panair dhe të paraqesë produktet e saj, të cilat shpresojmë të jenë të suksesshme në tregun kinez,” theksoi ai.

Belortaja e vlerësoi programin e qeverisë kineze të paraqitur para Asamblesë Kombëtare Popullore nga kryeministri Li Keqiang.

Për ambasadorin Belortaja, programi përbën një platformë të qartë dhe gjithëpërfshirëse të ambicieve, synimeve dhe objektivave të qeverisë kineze.

“Vlerësoj që ka një përmbajtje të fortë sociale, sepse adreson çështje të tilla me ndjeshmëri shumë të lartë, siç janë nxjerrja dhe zbutja e varfërisë, si dhe krijimi i një atmosfere të mirë e komode për popullin, për krijimin siç thuhet në program, të një Kine të bukur,” tha Belortaja.

Diplomati shqiptar përshëndeti procesin e konsultimit shumëpartiak të Kinës, që sipas tij është një instrument shumë i mirë demokratik dhe racional.

“Përveç aspektit konsultativ formal dhe konsultimit gjithëpërfshirës të të gjitha organizatave politike dhe sociale, ato (konsultimet) sjellin dhe një element racional, sepse tërheqja e mendimit të sa më shumë aktorëve dhe faktorëve, sigurisht që përmirëson vizionin dhe programin e zhvillimit të ardhshëm,” vlerësoi ai.

Belortaja u ndal edhe tek 40-vjetori i fillimit të reformave dhe hapjes së Kinës dhe përshëndeti vendosmërinë e Pekinit për t’a vazhduar këtë proces edhe në të ardhmen.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.