Rruga Tiranë-Elbasan, finalizohet brenda këtij viti

318

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155644050251523/

TIRANË, 13 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Rruga Tiranë- Elbasan do të finalizohet brenda këtij viti, ndërkohë që do të ecet më tutje me aksin rrugor që lidh Elbasanin me Korçën.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, e cila këtë muaj u zhvillua në Qarkun e Elbasanit, Kryeministri Edi Rama u ndal te investimet kryesore në këtë qark si dhe te projektet prioritare ku do të investohet në vazhdim.

“Sipas kalendarit të përmuajshëm, çdo muaj ne jemi në një qark jo për ekskursion e turizëm, por për të shkuar në çdo zonë dhe për të kontaktuar drejtpërdrejt me njerëzit, për tu bërë me dije projektet tona e për tu mbajtur fort të lidhur me realitetin”, tha Rama.

Sa i takon qarkut të Elbasanit, Kryeministri theksoi se “kemi dy probleme të trashëguara, dy gropa të cilat kemi bërë përpjekje për t’i mbushur por ende nuk i kemi mbushur dot plotësisht për arsye të marrëzive të së shkuarës të babëzisë të së tashmes”.

Kreu i Qeverisë iu referua projektit të rrugës Elbasan-Tiranë dhe rrugës tjetër Qukës-Qafë Plloçë. “Kishim dy projekte skandaloze, kontrata skandaloze, menaxhim skandaloz dhe rritje skandaloze të kostos. Ne jemi të angazhuar dhe të vendosur t’i realizojmë këto projekte dhe rruga Tiranë-Elbasan do të finalizohet brenda këtij viti”, tha Kryeministri.

Sipas Ramës, hapet përfundimisht ky aks rrugor duke lidhur përfundimisht përmes kësaj rruge të re Elbasanin me Tiranën, ndërkohë që ecet më tej me segmentin Qukës-Qafë Plloçë që lidh Elbasanin me Korçën.

“Po ashtu është shumë e rëndësishme që po finalizohet një aks i ri rrugor i nisur mandatin e parë që krijon kushtet për forcimin e një poli të natyrshëm ekonomik mes Elbasanit dhe Beratit, duke bashkuar Cërrikun, Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën, që janë zona ku ka një zhvillim të vazhdueshëm dhe të rëndësishëm bujqësor dhe ku i jepet mundësi e re dhe e shumëpritur të gjitha sipërmarrjeve bujqësore për një lëvizje normale drejt tregjeve”, tha Rama.

Një sërë projektesh të tjera në portofolin e 4 viteve të ardhshëm për qarkun e Elbasanit, sipas tij, lidhen me infrastrukturën, ujësjellësat dhe energjinë.

Rama veçoi projektin e interkonjeksionit 400 kilovolt që lidh Fier-Elbasan-Manastir, dhe që do të sjellë një tjetër zhvillim pozitiv në sektorin energjetik dhe në lidhjen e rrjetin tonë me Maqedoninë dhe zonën tjetër të Ballkanit.

Elbasani do të jetë një prej qarqeve që ka përfitueshmërinë më të lartë nga programi i ri i fshatrave turistikë.

“Janë 8 qendra rurale në qark që janë bërë pjesë e këtij programi. Janë zona fantastike si Gjinari, Shushica, Pajova, Stërbleva, Shtërmeni, Seferani, Sotira dhe Dardha, që kanë nevojë për ndërhyrje që të kthehen në zona të zhvilluara, ku të krijohet punësim dhe ekonomi përmes shfrytëzimit të pasurive fantastike natyrore”, tha Rama.

Elbasani është një territor ku janë financuar dhe realizuar 374 projekte në 4 vitet e mandatit të parë, nga të cila 79 vetëm në infrastrukturë, tha Kryeministri.

Për impaktin që kanë pasur këto projekte në jetën e komunitetit, sipas tij, flasin statistikat e ekonomisë. “Elbasani ka nevojë për shumë më tepër akoma, ndaj dhe ne do t’i japim edhe më shumë vëmendje investimeve dhe ecjes para drejt një rruge ku duhet të vazhdojmë të luftojmë papunësinë dhe pasojat e saj”, shtoi Kryeministri.

Ai theksoi gjithashtu se në Elbasan kemi provën e prekshme të suksesit dhe të drejtësisë të skemës së re të ndihmës ekonomike, që në Elbasan testohet prej 2 vitesh.

Elbasani, vijoi kryeministri, nuk ka pasur pothuajse asnjë lëvizje sepse skema është konsoliduar dhe ndihma ekonomike shkon tek më të varfrit.

Zgjidhje përfundimtare për terapinë kundër kancerit të gjirit

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje historinë e mësueses nga Mirdita, e cila vuante nga kanceri i gjirit, dhe për të cilën u zgjidh përkohësisht problemi i ndërprerjes së terapisë.

“Sot jam shumë krenar të them se kemi shkuar deri në fund dhe me një vendim qeverie kemi arritur të hyjmë në një fazë të re sa i përket trajtimit të këtyre medikamenteve specifike, që janë me kosto shumë të larta, duke hapur një kanal të drejtpërdrejtë negocimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanive të mëdha mëmë”, tha Rama.

Sipas tij, “është bërë një provë dhe prova ka dalë me sukses, pasi i jemi drejtuar kompanisë mëmë me të gjitha argumentet për pamundësinë e buxhetit të shtetit për të përballuar të gjitha kostot e kurës për të gjitha gratë që kanë nevojë të kenë kurë të pandërprerë për kancerin e gjirit”.

“Kemi marrë mbrapsht një sinjal tejet pozitiv për një ulje të rëndësishme të çmimit që e bën të mundur marrjen e këtij medikamenti dhe mbylljen njëherë e mirë mbas çerekshekulli të këtij problemi kaq jetik dhe thelbësor për gra, vajza dhe familje shqiptare”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.